Tetovë, e cila është një nga qytetet më të vjetra në Maqedoni, të vendosura në udhëkryqin e dy korridoreve ndërkombëtare - Korridori 8 shkon nëpërmjet Tetovë dhe Korridori 10 shkon nga Tetova 40 kilometra larg.
Si vendbanim me emrin Htetovo përmendet në shekullin e XIII. Vendbanimi i vjetër ka qenë rreth manastirit Shën Maria Htetovska, në daljen e lumit Pena nga Mali i Sharit. Në nder të Shën Marisë Htetovska në shekullin e XIV u mbajt një panair të madh. Në mesin e shekullit XV vendbanimi e ndryshoi emrin e tij me Tetovo.
Me ardhjen e Turqve në shekullin e XV, në Tetovë u ndërtuan shumë objekte religjioze dhe publike nga kultura islame: xhami, vende të shenjta, kuzhina publike për popullatën e varfër, hamame (banja publike) dhe shatërvanë. Gjatë pushtimit osman në shekullin e XVII Tetova ka qenë qendër e rëndësishme kishtare.
Në aspektin demografik, në Tetovë jetojnë rreth 83% Shqiptarë, rreth 12 % Maqedonas dhe 5% Turq, Romë, Serbë dhe të tjerë, dhe sipas përkatësisë fetare, mbi 80% i përkasin besimit Mysliman, ndërsa të tjerët besimit ortodoks. Gjatë zhvillimit të gjatë historik të Tetovës ndërthuren një numër të madh kulturash, secila me gjurmën e vet në jetën moderne të qytetit, që e bën një nga mjediset më dinamike qytetare në Maqedoni. Fasulet, mollët, domatet, piperkat dhe qepa janë karakteristika të njohura të Rajonit të Tetovës.
Xhamia shumëngjyrëshe (shekulli XV)
Ornamente piktoreske të pikturuara në lidhje me njësi urbane dhe interesante. Xhamia shumëngjyrëshe është monument kulture nga shekulli XV, i cili është pasuruar dhe zgjeruar në shekullin e XIX nga ana e Abdurahman Pasha, zotëri feudal turk nga pashallëku i Tetovës. Gjendet në pjesën e vjetër të Tetovës, pranë lumit Pena. Është ndërtesë njëdhomëshe katrore me kombinim arkitektonik të stilit ndërtimor turk baroken dhe neoklasik. Të dhënat për historinë e Xhamisë shumëngjyrëshe dhe për objektet përreth janë gdhendur në mbishkrimin e pllakave të mermerit të vendosura mbi derën hyrëse.
Xhamia shumëngjyrëshe me fasadën e saj është monument veçanërisht tërheqës i kulturës në Tetovë. Ornamentet e shumta piktoreske të pikturuara, grafika dhe teknikat e pikturimit paraqesin raritet dhe vepër të shkëlqyer të arkitekturës islame. Ato janë vepër e mjeshtërve me përvojë nga Dibra, të cilët jo vetëm që e pikturuan xhaminë brenda dhe jashtë, por njëkohësisht dekoruan teqen Arabat-baba të dervishëve dhe disa shtëpi private të beut. Veçanërisht piktoreske është ana jugore e xhamisë e cila duket nga rruga kryesore që çon drejt Gostivarit.
Dëshira e Hurshide – në xhami gjendet tyrbja ku është varrosur vajza e beut, zonja Hurshide, me origjinë nga Anadolija, dëshira e së cilës ishte të varrosej në Tetovë, si dhe gurë të dekoruar në mënyrë të pasur, shatërvan dhe hamam. Në përbërjen e këtij ambienti gjendet dhe hamami i ruajtur, i cili sot është galeri artistike.
Struktura etnike e qytetit është e ndryshme. Numri i banorëve në Tetovë ishte vazhdimisht në rritje 1948-1994.
Pas Luftërave Ballkanike Tetova rrit numrin e popullsisë. Zhvillimi i vërtetë i ekonomisë dhe rritja e popullsisë në Tetovë, vihet re pas Luftës së Dytë Botërore, kur fiton karakteristika moderne të qendrës ekonomike, administrativo-politike dhe kulturore-arsimore. Në shekullin e XX, Tetova theksohet si vend tregtar dhe zejtar dhe qendër industriale në Rajon.
Popullata qytetare ka strukturë të ndryshme etnike. Nga viti 1948 deri në vitin 1994 numri i popullsisë në Tetovë rritet vazhdimisht. Numri i popullsisë u rrit për më shumë se tre herë (viti 1948 – 17.132 banorë; viti 1961 – 15.357 banorë; viti 1981 – 46.523 banorë; viti 1994 – 64.318 banorë, ndërsa në vitin 2002 - rreth 70.000 banorë), me rritje veçanërisht të theksuar nga viti 1971 deri në vitin 1994, për shkak të rritjes së madhe natyrore tek popullsia shqiptare.
Vend udhëheqës në zhvillimin ekonomik në Tetovë pati industria (elektrometalurgjike, tekstile, pemore dhe ushqimore), bujqësia (sidomos pemëtaria me mollën e njohur të Tetovës dhe bujqësia me grurin dhe fasulet), zejtaria, tregtia dhe turizmi.
Kalaja e Tetovës (shekulli XIX)
Kalaja e Tetovës daton nga Koha më e re, e ndërtuar rreth vitit 1820. Gjendet në afërsi të Tetovës, në ultësirën e Malit të Sharit. Ka lartësi mesatare rreth 800 metra mbi nivelin e detit, dhe në lidhje me qytetin ngrihet rreth 300 metra. Ndërtimin e filloi Rexhep – Pasha dhe e vazhdoi djali i tij, Abdurahman – Pasha. Kalaja është ndërtuar me gurë të zgavërt dhe gurrë të gdhendur.
Kompleksi i sotëm arkeologjik përbëhet prej muresh, në brendësinë e së cilës gjenden pesë pallate, banja, magazina, kuzhina të mëdha, dhoma ngrënie dhe pus. Prej objekteve më të vjetra, këtu gjendet kisha Shën Atanasij nga shekulli XIV. Në muret e kalasë kanë ekzistuar dhe kulla, dhe ekzistojnë mbetje nga burgu nëntokësor dhe tre tunele, të cilat nga kalaja çojnë drejt Tetovës, drejt fshatit Larci dhe drejt lumit Pena.
Kisha Shën Kiril dhe Shën Metodij
Një nga kishat më të bukura ortodokse në Polog. Shën Kiril dhe Shën Metodij është kishë Katedrale në pjesën e vjetër të Tetovës. Është ndërtuar nga periudha e vitit 1903 e deri në vitin 1918 dhe është shenjtëruar në vitin 1925. Afresket janë punuar nga Danilo Nestorovski në vitin 1924. Kisha paraqet bazilikë tre nefshe me kupolë qendrore.
Etno-muzeu në Xhepçishte
Muze në një dhomë prej shtatë metra katrorë. Pesë kilometra larg Tetovës, në një shtëpi fundjavore në fshatin Xhepçishte, gjendet një etno - muze të vogël, me eksponate të cilat datojnë nga shekulli VIII para erës sonë e deri në shekullin XX. Në brendësinë e tij ka vend vetëm për një vizitor. Eksponatet janë punuar nga materiale të ndryshme (qeramikë, bakër, hekur), ndërsa ekspozitën e pasurojnë eksponate të sjella nga Maqedonas dhe Shqiptarë, banorë të këtij rajoni. Muzeu ka ambicie të shënohet në Librin Gines të rekordeve si etno-muzeu më i vogël në botë.
Manastiri Leshok Shën Atanasij (shekulli XIV)
Histori të pasur, afreske të çmuara, shkëlqim shpirtëror. Në kompleksin e Manastirit Leshok përfshihen kisha manasteriale Shën Atanasij nga viti 1335, kisha Shën Maria, e cila ekziston nga shekulli XIII dhe përmendet në dekretin e Stefan Deçanski nga viti 1326, si dhe mbetje nga pesë kishat dhe faltoret mesjetare. Në mënyrë të veçantë theksohen vlerat kulturore dhe shpirtërore të kishës Shën Atanasij.
Në manastir është vendosur varri dhe shtëpia përkujtimore e Kiril Pejçinoviq, një nga rilindësit më të mëdhenj të Maqedonisë nga shekulli XIX. Me ardhjen e tij nga Sveta Gora (Pylli i shenjtë) në vitin 1818, janë rinovuar konakët e manastirit dhe është themeluar biblioteka e manastirit, ndërsa manastiri Leshok u transformua në qendër letrare dhe arsimore.
Manastiri ka traditë të gjatë, të pasur dhe të famshme, por plot edhe me ngjarje tragjike. Shumë herë është djegur dhe rinovuar. Në vitin 1690 Turqit shembën manastirin dhe kishën Shën Maria, ndërsa manastiri është dëmtuar edhe në vitin 2001. Me ndihmën e Bashkimit Evropian, manastiri përsëri u rinovua në mënyrë autentike. Festat më të mëdha manasteriale dhe manifestimet kishtare-popullore mbahen në ditën e Shën Atanasij (15 maj) dhe në ditën e Shën Marisë së Madhe (28 gusht).
Traditë – Në Leshok dhe në rrethinën e tij më parë ka pasur deri 44 kisha. Si qendër e atëhershme peshkopate, Manastiri Leshok është ndërtuar në vitin 1321, gjysmë kilometri larg lokacionit të sotëm. Leshok – në Pollogun e poshtëm, jo larg rrugës Tetovë-Kosovë, në afërsi të të cilit kalon linja hekurudhore Shkup-Kërçovë, gjendet fshati Leshok, në një lartësi prej 480 deri 620 metra. Gjendet tetë kilometra në pjesën verilindore të Tetovës. Sipërfaqja zë rreth 10 km² dhe ka rreth 400 banorë. Nëpër të rrjedh Lumi Leshok. Emri i vendbanimit për herë të parë përmendet në vitin 1019 në dekretin e Vasilie II, si qyteti Leaskumcosu, i cili ishte përfshirë në Kryepeshkopatën e Ohrit, dhe më vonë përmendet si Leshce dhe Leshak.
Vlerë – në kishën Shëm Maria ka shumë afreske të vlefshme të cilat datojnë nga shekulli XVII dhe XIX, ku vëmendje të veçantë tërheq ikonostasi i vitit 1879.
Arabat – baba teqe (Shekulli XIX)
Qendër shekullore e jetës kulturore dhe fetare. Teqeja Arabat – baba është ndërtuar në shekullin XIX nga Rexhep Pasha dhe djalit të tij Abdurahman Pasha. Është objekt fetar pranë tyrbes të Sersem Ali-baba nga shekulli XVI. Gjatë historisë, krahas besimit islam, në teqe u zhvillua kultura dhe arsimi. Në kompleks janë ruajtur shatërvani, kulla, tyrbja, kuzhina me dhomën e ngrënies, çezma, konaku i mysafirëve, vendi i dervishëve dhe haremi. Në teqe ka pasur jetë aktive të dervishëve deri në vitin 1912, i cili u rinovua në periudhën prej vitit 1941 deri në vitin 1945. Sot në këtë kompleks gjendet muzeu popullor i Tetovës.
Biblioteka e teqesë – nga shekulli XVIII dhe XIX në bibliotekë kryhej kopjim i veprave nga intelektualët e njohur në atë kohë, me kaligrafi të veçantë, të cilat më vonë dekoroheshin me ornamente të mbështjella me lëkurë. Sarkofagë të gdhendur - vëmendje të veçantë në arkitekturën islame në Maqedoni i është dedikuar dru-gdhendjes. Në tyrbe gjenden varet e 11 dervishëve dhe Fatma Kanum, si dhe e Sersem Ali-baba dhe Rexhep-pasha, të vendosura në dhoma të veçanta dhe në sarkofagë të dekoruar në mënyrë të pasur. Gdhendja e objekteve të teqes Arabat-baba është vepër e gdhendësve nga Mala Reka (Lumi i Vogël).
Qeni i Sharit “Sharplaninec”
Lloj endemik dhe krenari e Malit të Sharit dhe Maqedonisë, ka origjinë nga Tibet, nga shpatet e Himalajave. U përshtat me kushtet e ashpra të maleve të Maqedonisë, në të cilat jeton me shekuj. Më i zakonshëm është mendimi se gjendet vetëm në Ballkan, më saktë në masivet malore të Maqedonisë – në Malin e Sharit, Korabit, Stogovës, Bistrës dhe Mavrovës. Për herë të parë është ekspozuar në Lublana në vitin 1926. Në vitin 1939 qeni i Sharit është regjistruar në federatën kinologjike ndërkombëtare (FCI), e cila regjistron të gjitha racat e qenve. Qeni i Sharit të Maqedonisë është kampion i Evropës për vitin 2008 në konkurrencë me 10.000 qen të tjerë.